Kremtimi i karnavaleve në kopshtin tonë “Nëna Kabrini” është një nga aktivitetet më të dashura dhe më të gëzueshme për të fëmijët. Kjo festë sjell ngjyra, buzëqeshje dhe shumë imagjinatë, duke u dhënë fëmijëve mundësinë të shprehin veten përmes maskimeve dhe roleve të ndryshme. Këtë vit, karnavalet tona u organizuan me temën “Karnavalet në pylli magjik”, ku fëmijët u shndërruan në krijesa të natyrës: kafshë, insekte, lisa, lule dhe elemente të tjera të pyllit.
Që në orët e para të mëngjesit, oborri dhe ambientet e kopshtit u mbushën me ngjyra dhe kostume të veçanta. Dikush ishte flutur me krahë shumëngjyrësh, dikush lepurush i butë, arush, ketër apo zog i vogël. Disa fëmijë u maskuan si lisa të gjelbër, kërpudha, bletë punëtore apo milingona. Secili kostum tregonte kreativitetin dhe përkushtimin e prindërve, fëmijëve dhe të edukatoreve.





Përmes kësaj feste, fëmijët jo vetëm që u argëtuan, por edhe mësuan më shumë për natyrën dhe botën e gjallë. Ata kuptuan rëndësinë e pyllit, rolin e kafshëve dhe insekteve, si dhe nevojën për ta mbrojtur mjedisin. Nëpërmjet lojërave, këngëve dhe valleve tematike, fëmijët bashkëpunuan, ndanë gëzimin me njëri-tjetrin dhe forcuan miqësitë.
Aktivitetet përfshinë parada me kostume, valle rrethore, recitime dhe lojëra kreative. Çdo fëmijë pati mundësinë të prezantonte maskimin e tij.




Në fund të ditës, buzëqeshjet dhe entuziazmi i tyre ishin dëshmia më e bukur se karnavalet nuk janë vetëm festë, por edhe një përvojë edukative dhe emocionale. Karnavalet e pyllit mbetën një kujtim i paharrueshëm për të gjithë, duke sjellë më afër fëmijët me natyrën dhe me njëri-tjetrin.
Këto momente të veçanta na kujtojnë se loja, kreativiteti dhe dashuria për natyrën janë pjesë thelbësore e fëmijërisë së lumtur.
