Për nder të Ditës Ndërkombëtare e Gruas, kopshti “Nëna Kabrini”, të Motrave Engjëllore të Shën Palit, u mbush me gëzim, ngjyra dhe emocione të veçanta. Fëmijët tanë, me zemrat e tyre të pastra dhe buzëqeshjet plot dashuri, përgatitën një program të bukur festiv për të nderuar nënat që janë pjesë e jetës së tyre.

Nën udhëheqjen e edukatoreve, fëmijët recituan vargje të ëmbla, kënduan këngë dhe vallëzuan me shumë entuziazëm. Çdo fjalë dhe çdo hap i tyre ishte një shprehje e sinqertë mirënjohjeje dhe dashurie për figurën e nënës.


Një moment shumë i veçantë i kësaj dite ishte edhe përgatitja e kartolinave dhe punimeve kreative, të cilat fëmijët i realizuan me shumë përkushtim. Këto dhurata të vogla, të punuara me duart e tyre, u bënë simbol i dashurisë së madhe që ata ndjejnë për nënat. Gjithashtu, grupet parashkollore zhvilluan aktivitet me nënat në parkun e qytetit duke rreth dore me lule për nënat e tyre.





Ky aktivitet nuk ishte vetëm një festë, por edhe një mundësi që fëmijët të mësojnë vlerat e mirënjohjes, respektit dhe dashurisë ndaj grave që çdo ditë kujdesen dhe sakrifikojnë për ta.


Atmosfera e ngrohtë, buzëqeshjet e fëmijëve dhe emocionet e nënave e bënë këtë kremtim një kujtim të paharrueshëm për familjen e madhe të kopshtit “Nëna Kabrini”, të Motrave Engjëllore të Shën Palit.


Gëzuar 8 Marsin të gjitha nënave dhe grave!

