‘’Kur më në fund ktheheni në shtëpinë tuaj të vjetër, e kuptoni se nuk po e kërkonit atë, por fëmijërinë tuaj.’’  Sam Ewing

Aktivitetet

Viti shkollor 2023-2024 në kopshtin tonë u përmbyll më sukses.

Në udhëtimin për edukimin dhe arsimimin e fëmijëve tanë përgjatë këtij viti, nuk ka munguar një planprogram i pasur me aktivitete dhe momente të ndryshme edukativo-arsimore. Aktivitetet dhe momentet e ndryshme edukativo-arsimore, ku fëmijët shprehnin gëzim, lumturi dhe kënaqësi u zhvilluan së bashku me edukatoret dhe gjithë kolektivin e kopshtit me shumë dashuri dhe përkushtim ndaj fëmijëve. Përmes aktiviteteve të pasura në fusha të ndryshme, fëmijët kanë shprehur dëshirën dhe guximin për të hulumtuar dhe përvetësuar njohuri të reja. Kopshti përveç fushës edukative u ofron mundësinë e socializimit me bashkëmoshatar, argëtimit përmes lojës, kreativitetit përmes artit, muzikës, si dhe të zhvillimit të prirjeve dhe talenteve të tyre.

Për aktivitetet e ndryshme të realizuara, falënderojmë prindërit e fëmijëve për përkushtimin në bashkëpunim me kopshtin si dhe gatishmërinë e pjesëmarrjes së tyre në aktivitete të organizuara nga kopshti me ta dhe për ta, sepse pa ndihmën dhe bashkëpunimin prindëror aktivitetet nuk do të kishin ngjyra jete.

Fëmijët me brishtësinë, butësinë, pafajësinë dhe gjallërinë e tyre edhe këtë vit shkollor, kopshtit Nëna Kabrini i dhanë shumë ngjyra.

Nga më të veçantat e festave ku Festat e Fundvitit për të vegjlit janë më të këndshmet, ishte Festa e Minimaturës së 54 fëmijëve ku për gjithë angazhimin dhe përkushtimin e tyre në realizimin e planit edukativo-arsimor u shpërblyen me Diplomë, që do të mbetet gjatë në kujtesën e tyre. Ky moment, i cili do të jetë i paharruar në jetën e tyre si dhe te prindërit e tyre duke kujtuar diplomimin e parë drejt një udhëtimi të gjatë të arsimimit, njëherit do t’ju hap rrugë për shtigje të reja që do t’i ndjekin gjatë jetës së tyre.

E jona është që t’i përcjellim me urimet tona më të mira, e që asnjëherë mos t’ju mungojnë sukseset në jetë dhe sa herë që përmallohen për fëmijërinë e tyre të kaluar, të kthehen në shtëpinë e vjetër pikërisht në kopshtin ku u edukuan, socializuan, ku kanë qeshur dhe kanë qarë, ku kanë lozur dhe ku janë argëtuar, sepse vetëm aty mund ta gjejnë fëmijërinë e tyre.
Falënderojmë të gjithë fëmijët, prindërit dhe gjithë ata që na kanë mbështetur në realizimin e aktiviteteve gjatë këtij viti shkollor, si në kopsht ashtu edhe jashtë kopshtit.


Në këto ditë pushimesh ju dëshirojmë pushime të bekuara dhe të mbara!

Mirupafshim në shtator!

Fëmijëve të cilët përfunduan vijimin e kopshtit ju dëshirojmë suksese të panumërta!
Zoti ju bekoftë të gjithëve!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *