“Ne edukojmë vetveten duke edukuar të tjerët …
… ku angazhimi ynë është ta bëjmë shkollën një familje autentike, që jeton vlerat më të larta njerëzore…”
Kush është Kopshti i fëmijëve “Nëna Kabrini”?
‘’Lëreni fëmijërinë të piqet në fëmijëri’’. (Zhan Zhak Ruso)
Në qytetin e lashtë të kulturës, traditës dhe arsimit u vendosën gurthemelet e ndërtimit të një institucioni edukativo-arsimor, atëherë kur vendi ynë kishte filluar të frymojë lirshëm dhe institucionet tona edukativo-arsimore ishin të pavarura në punën dhe veprimtarinë e tyre.
Vullneti dhe dëshira për punën me fëmijë dhe të rritur, që njëherit është dhe misioni i Motrave Engjëllore të Shën Palit që jetojnë dhe veprojnë në qytetin e Prizrenit, bëri që të ndërtojnë një institucion edukativo-arsimor. Me miratimin e kërkesës drejtuar Ipeshkvisë së Kosovës dhe Ministrisë së Arsimit, me ndihmën e CARITAS-it italian mundësohet ndërtimi i kopshtit ‘’Nëna Kabrini’’. Që nga fillimi i punës kopshti zotëron licencën nga Ministria e Arsimit.
Përurimi i këtij institucioni bëhet më 26 prill të vitit 2002 dhe që nga prilli i këtij viti e deri më sot, kopshti ‘’Nëna Kabrini ‘’ vazhdon punën e tij në edukimin e brezave të rinj dhe në parapërgatitjen shkollore e cila është shumë e nevojshme për fëmijët.
Çka ofron kopshti dhe cili është qëllimi i tij?
Vijueshmëria e fëmijëve në kopsht krahasuar me atë të viteve të para është jashtëzakonisht e lartë, e cila dëshmon se kopshti mbi të gjitha ofron dashuri dhe është njëra ndër hallkat e para zinxhirore në mirërritjen, edukimin, formimin dhe pavarësimin e fëmijëve.
Rritja, mirërritja, edukimi, formimi dhe pavarësimi i fëmijëve ndodh atëherë kur fëmijët janë në një rreth shoqëror ku u ofrohet dashuri, lojë, argëtim, edukim, formim, pavarësim dhe janë të një moshe, e që brenda kopshtit ‘’Nëna Kabrini’’ fëmijët i përjetojnë të gjitha këto.
Kopshti punën e tij edukativo-arsimore e zhvillon në bazë të Kurrikulës së Kosovës, metodologjive të ndryshme si: HAP PAS HAPI, MAJOTIKA, MONTESORI dhe së fundi qasja REGJIO EMILIA, duke u mbështetur fort në synimet dhe parimet e edukimit në fëmijërinë e hershme, si dhe në zhvillimin e këtyre kompetencave:
- Kompetenca e komunikimit dhe e të shprehurit (Komunikues produktiv)
- Kompetenca e të menduarit (Mendimtar kreativ dhe kritik)
- Kompetenca e të mësuarit (Nxënës i suksesshëm)
- Kompetenca për jetë, për punë dhe për mjedis (Kontribues produktiv)
- Kompetenca personale (Individ i shëndoshë)
- Kompetenca qytetare (Qytetar i përgjegjshëm).
E tërë veprimtaria edukativo-arsimore në kopshtin ‘’Nëna Kabrini’’ zhvillohet në bazë të këtyre gjashtë kompetencave, duke ndihmuar fëmijët në të folur dhe shprehur që fatkeqësisht në ditët e sotme ka probleme të shumta; duke nxitur fëmijët që të analizojnë një përrallë, tregim ku përmes dëgjimit dhe shikimit të jenë dëgjues dhe vrojtues të mirë që të analizojnë situatat e dëgjuara apo ato të shikuara; mësojnë rregulla, mësojnë mësime të përcaktuara në bazë të moshës; kuptojnë të bëhen kontribues në shoqërinë ku ndodhen duke ndihmuar dhe bashkëvepruar me moshatarët e tyre; bëhen të pavarur rreth vetes, vishen dhe zhvishen vet, ushqehen, mundohen t’i kryejnë nevojat personale në mënyrë të pavarur si dhe bëhen qytetar të përgjegjshëm duke u kujdesur për ambientin që i rrethon dhe më gjerë.
Prandaj vijimi i kopshtit në fëmijërinë e hershme është çelësi i zhvillimit të fëmijës me dashuri dhe përgjegjësi.