Marsi muaji i festave i më të dashurve tanë

Festat në kopsht

“Dita më e mirë? -Sot. Pengesa më e madhe? -Frika. Gjëja më e lehtë? -Bëhu i gabuar. Gabimi më i madh? -Të heqësh dorë. Lumturia më e madhe? -Jini të dobishëm për të tjerët. Ndjenja më e keqe?- Tërbimi. Dhurata më e mirë?- Falja. E domosdoshme? – Familja.” Shën Nënë Tereza

7 Marsi – Dita e Mësuesit

Është një ditë e veçantë që i kushtohet mësuesve, edukatorëve dhe të gjithë atyre që punojnë më përkushtim, durim dhe dashuri që u japin dijen dhe i udhëheqin fëmijët drejt së ardhmes.

Ditë kjo, ku fëmijët me shumë buzëqeshje dhe dashuri falënderojnë mësuesit dhe edukatorët  e tyre për çdo mësim të dhënë, çdo këshillë dhe lëvdatë.

Oborri i kopshtit me mëngjes zhurmonte nga zërat dhe të qeshurat e fëmijëve.

Ata erdhën  me hapa të vegjël, por me zemra të mëdha duke mbajtur në duart e tyre buqeta me lule shumëngjyrëshe.

Çdo  lule e dhuruar është një falënderim i heshtur ,një përqafim i ngrohtë dhe një premtim i vogël që mirësia dhe dashuria do të rriten bashkë me ta.

 8 Marsi- Dita e Gruas – Nënës

Është dita ku nderohen të gjitha gratë, në veçanti nënat që janë burim i jetës, dashurisë dhe i sakrificës së pafund.

Nëna është simboli i ngrohtësisë, forcës dhe mirësisë. Ajo që na rritë dhe na ka rritur me përkujdesje duke na dhënë forcë për të ecur përpara.

Me rastin e kësaj festë klasat parashkollore Klasa Verdhë dhe Klasa Kaltër organizuan një aktivitet së bashku me nënat ,ku zhvilluan aktivitete kreative me ngjyrosje dhe lojëra të ndryshme.

Fëmijët të shoqëruar nga nënat e tyre u  përfshinë në ngjyrosjen e vizatimeve të përgatitura enkas për festën e nënës, duke shprehur dashuri dhe  mirënjohje për nënat e tyre nëpërmjet artit. Gjatë ngjyrosjes kishte të qeshura dhe biseda të ëmbla mes nënave dhe fëmijëve të tyre.

Aktiviteti u përmbyll me një foto të përbashkët.

Atmosfera në kopsht me mëngjes ishte magjike. Fëmijët  e veshur bukur dhe plot emocion mezi prisnin që të fillonte  festa.

Në sytë e tyre shkëlqente gëzimi dhe prisnin me padurim për të treguar atë që kanë mësuar me përkushtim ditë pas dite me edukatoret e tyre.

Çdo këngë ,recitim apo valle ishte një dhuratë nga zemra për nënat e tyre qe i shohin me sytë plot dashuri dhe krenari.

Buzëqeshjet e fëmijëve ,duartrokitjet e sinqerta, përqafimet e ngrohta dhe sytë e përlotur të nënave krijuan një moment të paharrueshëm. Festë kjo, e mbushur me dashuri të pastër ,emocione të vërteta që fjalët mezi mund t’i përshkruajnë.

Të festosh 8 Marsin në kopsht  është të përjetosh një çast të pasur me ndjenja, ku çdo buzëqeshje e tyre është dhurata më e çmuar për çdo nënë dhe çdo përqafim një kujtim i bukur  që do të mbetet në zemër përgjithmonë.

Festa  e babit

Babai ka  një rol shumë të rëndësishëm në familje dhe në jetën e fëmijës.

Ai është mbështetje, udhëheqës dhe shembull  i  mirë për ta. Me kujdesin, dashurinë dhe përkushtimin e tij  ndihmon në formimin e karakterit të fëmijës , e mëson me përballje të sfidave dhe është po babai ai që i  jep siguri në çdo hap të jetës.

Me rastin e festës së Babait, kopshti organizoj disa aktivitete të ndryshme së bashku me fëmijët dhe baballarët e tyre.

Një aktivitet i veçantë është  turniri sportiv në futboll dhe basketboll mes  baballarëve të  dy klasave parashkollore: Klasa Kaltër dhe Klasa Verdhë .

Me ndihmën ,mbështetjen e edukatoreve dhe fëmijëve ,baballarët treguan shpirt sportiv, bashkëpunim dhe dëshirë për të festuar në mënyrë aktive këtë ditë të rëndësishme për ta dhe fëmijët e tyre.

Pas, turnirit  nëpër klasa u zhvilluan aktivitete të ndryshme  krijuese dhe argëtuese ,si vizatime, vallëzime dhe urime të  personalizuara për baballarët.

Sa emocione të bukura  të mbushura me gëzim dhe momente të veçanta sjellën fëmijët me baballarët e tyre  duke e kthyer këtë festë  në një kujtim të paharrueshëm për ta.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *