Më 26 prill, u festa 22 vjetori i hapjes së kopshtit të fëmijëve” Nëna Kabrini”, i Motrave Engjëllore të Shën Palit. Në këtë 22 vjetor morën pjesë shumë mysafir, miq, prindër dhe gjyshër ku me prezencën e tyre e begatuan dhe hijeshuan me shumë këtë festë.
Manifestimin e këtij 22 vjetori e madhështuan fëmijët tanë me prezantimin e tyre aq magjik dhe të ëmbël, të cilët jo me një profesionalizëm artistik por me një shpirt të pastër dhe të sinqertë ku askush më mirë se fëmijët nuk mund të përcjellë porosi paqeje dhe dashurie për të gjithë.
Porosia të cilën këtë vit e kemi zgjedhur për të shënuar vitin e 22-të të hapjes së kopshtit tonë është:
“Kur fuqia e edukimit e kapërcen dashurinë për pushtet, bota do të zbulojë paqen”.
Të edukosh fëmijët në shoqërinë multikulturore, do të thotë të kesh vizion për një shoqëri më mbështetëse dhe më të ndritur për të ardhmen që duam të ndërtojmë, duke drejtuar shikimin në një horizont paqeje në të cilin njerëzimi ndërmerr një udhëtim të vetëdijes, për të dëgjuar dhe pranuar zërat e të gjithë atyre që jetojnë në tokë.
Kopshti ofron edukim dhe komunikim përrmes ndërveprimit të fushave të ndryshme si: të gjuhës, të muzikës, artit figurativ, edukimit fizik dhe teatrit. Gjithashtu, kopshti në këtë formë e parapëlqen gjithëpërfshirjen pa dallim etnie, kombësie dhe feje duke pasuruar dhe fuqizuar edukimin e hershëm për të gjithë fëmijët. Ecja përmes këtyre qëllimeve largpamëse është një mundësi ku fëmijët krijojnë marrëdhënie ndërnjerëzore përmes afërsisë me njeri-tjetrin, në formimin e personalitetit e tyre.
Kopshti përmes aktiviteteve ditore ndihmon në njohjen reciproke (e ndërsjellë) duke formuar identitetin individual dhe grupor përmes miqësive të reja, ku duke u ndjerë të barabartë dhe të ngjashëm edhe pse janë të veçantë, përsëri janë pjesë e bashkëndarjes së emocioneve dhe jetës së tyre me njerëzimin. Pra, fëmijët me dashurinë dhe brishtësinë e tyre, së bashku me edukatoret dhe gjithë kolektivin i japin ngjyra jete kësaj oaze edukuese. Por, me plot bindje mund të themi se u jemi mirënjohës edhe prindërve të cilët me besimin dhe bashkëpunimin e tyre e rrisin edhe më shumë vlerën e ngjyrave, në jetën dhe punën tonë edukative.
Këtë ofron kopshti i Motrave Engjëllore, i cili para 22 viteve hapi dyert në edukimin e brezave të rinj. Sot në këtë ditë feste e ndjejmë si detyrë që të falënderojmë Zotin dhe të lutemi për të gjithë miqtë dhe dashamirët të cilët na kanë mbështetur gjatë këtyre viteve në realizimin e misionit tonë edukues dhe të shenjtë, si dhe prindërve të cilët fëmijët ia kanë besuar kopshtit ‘’Nëna Kabrini’’ në mirërritjen dhe edukimin e tyre.
Në fund të programit u mbajt një koktej rasti ku të pranishmit patën rastin të njihen dhe të shkëmbejnë biseda të ndryshme në lidhje me edukimin dhe zhvillimin e fëmijëve.
Në emër të të gjithë kolektivit t’ju falënderoj përzemërsisht për praninë tuaj sot në festën tonë.