“Gruaja shtyllë e familjes dhe shoqërisë”

Festat në kopsht

Më 06.03.2024 në kopshtin”Nëna Kabrini” për nder të 8 Marsit – Ditës Gruas, u mbajt një panel bashkëbisedimi me temën” Gruaja shtyllë e familjes dhe e shoqërisë”, ku të ftuara si paneliste ishin dr.Jëlldëze Gorani, dr. Mybera Mustafa, zëvendës Kryeministrja Emilija Rexhepi dhe drejtoresha e shkollës fillore “Loyola” m.Lindita Spaqi, ndërsa znj. Valtida Shukriu si udhëheqëse e këtij paneli.
Përveç panelisteve në fjalë, të pranishme ishin edhe shumë gra të shquara të Prizrenit të fushave të ndryshme, si: mjekësisë, arsimit, artit, amvisërisë ku secila prej tyre është shtyllë e shoqërisë dhe familjes, pa marrë parasysh profesionin.
Duhet theksuar se e pranishme me ekspozitën e saj ishte edhe karikaturistja e parë grua Luljeta Goranci.
Znj.Valtida Shukriu hapjen e këtij paneli e bëri me leximin e disa emrave të grave të shquara të kombit tonë si: Teuta, Nora Kelmendi, Nënë Tereza e shumë gra të tjera, e që pas tyre vazhduan dhe vazhdojnë në ditët e sot gratë të japin kuntributin e tyre në sfera të ndryshme të jetës së tyre.
Qëllimi i organizimit dhe mbajtjes së këtij paneli ishte që gratë e ditëve të sotme të dëgjojnë nga gratë të cilat në periudhat më të vështira të vendit tonë, ishin të zëshme dhe të fuqishme në punën, misionin apo profesionin e tyre; të dëgjojmë gra të cilat janë pjesë e udhëheqjes në politikë ku njëherit për t’i thyer paragjykimet se politika u takon vetëm burrave, si dhe për të dëgjuar rreth udhëheqjes në arsim ku në ditët e sotme arsimi (mësimdhënia) është sfidë në vete. Këtu bëjnë pjesë dhe udhëheqëset e kopshtit Nëna Kabrini, Motrat Engjëllore të Shën Palit, që për 22 vite radha, i udhëheqin këtë kopsht, duke u treguar si gra të suksesshme me punën dhe sukseset e tyre që shihen tek të gjithë fëmijët që kanë vijuar këtë kopsht.


Të dëgjosh histori të ndryshme të kohërave të ndryshme është një motiv për gratë në ditët e sotme, ku sot mundësitë për të vepruar në sfera të ndryshme jetësore janë të shumta.
Andaj në emër të kolektivit të kopshtit në krye me Motrat Engjëllore, M. Age dhe M. Amanda që punojnë në kospht urojmë që të gjitha ato që u thanë nga panelistet të zejnë vend në jetën e secilës grua.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *