Vitet po kalojnë e Kosova në shtetësinë e saj po rritet. Me rritjen e saj po rriten edhe fëmijët tanë, me vlera njerëzore dhe atdhetare. Si çdo vit, në prag të festës së Pavarësisë së Kosovës, zhvillohen aktivitete të ndryshme më fëmijët e kopshtit tonë. Përveç aktiviteteve në kopsht, fëmijët parashkollorë patën rastin të bëjnë vizita me motive kombëtare.
Ndër vizitat që bënë parashkollorët ishte ajo në “Shtëpinë e veshjeve të Zymit” dhe në Kuvendin Komunal – Shtëpinë e Bardhë, e cila i përket vendlindjes dhe vendrritjes së tyre.
Në “Shtëpinë e veshjeve të Zymit”
Vizita në “Shtëpinë e veshjeve të Zymit” u bë nga fëmijët e klasës së Verdhë të shoqëruar nga edukatoret e tyre dhe qëllimi ynë si institucion edukativo-arsimor, ishte njohja me vlerat e trashëgimisë së vendit tonë. Kjo vizitë në “Shtëpinë e veshjeve të Zymit” u realizua falë znj. Lajde Katazi, e cila i hapi dyert e shtëpisë së vet vetëm për t’ju ofruar fëmijëve mundësinë e njohjes së veshjeve të ndryshme të Zymit dhe Hasit, të përdorura ndër vite. Një dhomë e vogël si hapësirë por e madhe me vlera kulturore, dhomë e cila brenda vetes strehon kujtime të ndryshme jo vetëm ndër vite por edhe ndër shekuj. Çdo fëmijë ka të drejtë të rritet në historinë e vendit dhe të popullit tonë që është i pasur më shumë vlera kulturore dhe trashëgimore.
Në “Shtëpinë e Bardhë”
Vizita në “Shtëpinë e Bardhë”-Kuvendin Komunal, në këto ditë feste u realizua nga fëmijët e Kl. Roza, të cilët ishin të përcjellë nga edukatoret e tyre, ndërsa të mirëpritur nga kryetari, z. Shaqir Totaj, i cili me thjeshtësinë e tij ishte shumë i afërt më fëmijët duke zhvilluar biseda të përshtatshme për moshën e tyre. Çdo aktivitet ka qëllimet e veta, edhe kjo vizitë kishte për qëllim rëndësinë e shtetit tonë dhe udhëheqësve të tij.
Momente nga festa e Pavarësisë në kopsht
Java e kushtuar ditës në të cilën festojmë Pavarësinë e Kosovës, u përmbyll me një program të pasur artistik, ku fëmijët kënduan, recituan dhe vallëzuan me ndjenja kombëtare dhe atdhetare. Edhe pse të vegjël në moshë, fëmijët e ndjejnë dhe e përcjellin me plot emocione dashurinë që kanë për vendin tonë. Detyra e ne të rriturve, duhet të jetë një mision për një rritje dhe edukim të fëmijëve në vlerat e bukura të kulturës dhe historisë sonë.
Zoti i bekoftë fëmijët dhe Kosovën tonë!